Nëse jeni kompani krijo një llogari ose që të keni qasje në çmimet me shumicë
(0) Shporta
Ju nuk keni artikuj në shportën tuaj.

Shporta juaj është e zbrazët!

    Close
    Filters
    Preferencat
    Kërko

    Konformiteti i produkteve

    KONFORMITETI (PËRPUTHSHMËRIA) I PRODUKTEVE DHE REKLAMACIONI

    Kjo pjesë e Kushteve të punës së biznesit i referohet situatës kur mallrat e dorëzuara tek Blerësi nuk janë në gjendje të mirë. Nëse mallrat janë në gjendje të mirë, por dëshironi t’i zëvendësoni me një produkt tjetër, shihni NDËRRIMI I PRODUKTIT . Nëse mallrat janë në gjendje të mirë, por si Konsumator dëshironi t’i ktheni ato, shihni E DREJTA PËR TËRHEQJE.

    1. ANKESAT (REKLAMACIONI) PËR DËMTIMET E SHKAKTUARA GJATË TRANSPORTIT

    Gjatë dorëzimit, Blerësi është i detyruar të kontrollojë mirë paketimin. Në rast se paketimi është dëmtuar, Blerësi duhet të tërheq vëmendjen dorëzuesit për dëmtimin e paketimit. Nëse ka gjurmë të dukshme të dëmtimit në paketim, Blerësi duhet të kërkojë nga dorëzuesi i mallit që të presë për të kontrolluar nëse është dëmtuar edhe përmbajtja e dorëzuar. Në rast se përmbajtja është e dëmtuar, Konsumatori duhet të kërkojë që përmbajtja e dorëzuar të kthehet në kompaninë Wurth.

    Afati i fundit për parashtrimin e ankesës (reklamacionit) për dëmtimet e bëra gjatë transportit është 24 orë. Nëse vëreni dëmtime, ju lutemi menjëherë t’i dërgoni fotografitë e produktit dhe paketimit në eshop@wurth-kosova.com së bashku me informacionin rreth kohës kur është bërë dorëzimi dhe numrit të faturës apo fletëdërgesës me të cilën keni blerë produktin.

    2. ANKESAT (REKLAMACIONET) SA I PËRKET MOSPËRPUTHSHMËRISË SË PRODUKTIT

    Nëse blerja është bërë nga Blerësi si Konsumator (në kuptim të seksionit 1 Kushtet e punës), zbatohen dispozitat e kontrates se shitblerjes dhe Ligjit per marredhenjet e detyrimeve.

    Nëse blerja bëhet nga Blerësi si person juridik, atëherë sa i përket konformitetit (përputhshmërisë) të produkteve, zbatohen dispozitat e Ligjit për marrëdhëniet e detyrimeve që i referohen përgjegjësisë së shitësit për defektet materiale në mallra/produkte. Në përputhje me dispozitat e këtij ligji, Blerësi - personi juridik është i detyruar të kontrollojë artikullin e blerë dhe të njoftojë menjëherë Wurth-in për defektet e dukshme, duke bashkëngjitur faturën për mallrat e blera. Në të kundërtën, Blerësi humb të drejtën e mbrojtjes nga defektet fizike të artikujve/produkteve që mund të vërehen nga inspektimi i rëndomtë. Në rast se artikulli ka një defekt që nuk ka mundur të zbulohet nga inspektimi i rëndomtë gjatë pranimit të mallrave (defekti i fshehur), Blerësi është i detyruar të njoftojë Wurth-in për këtë defekt, menjëherë pasi të ketë zbuluar defektin e fshehur dhe të bashkëngjisë faturën për mallrat e blera, duke dërguar njoftimin në formë të shkruar. Nëse Blerësi nuk e njofton Wurth-in me kohë për defektin e fshehur në mallra, ai humb të drejtën për mbrojtje ligjore. Wurth nuk do të jetë përgjegjës për defektet që shfaqen pasi kanë kaluar 6 (gjashtë) muaj nga dorëzimi i mallrave tek blerësi, përveç nëse Wurth i ka dhënë Blerësit garanci për atë lloj të mallrave, në kuptim të dispozitave të seksionit GARANCI.

    Në çdo rast, shpenzimet e kontrollit të konformitetit (përputhshmërisë) të produktit, karakteristikave teknike të deklaruara, aspektit shëndetësor ose të kontrollit të përputhshmërisë së produktit me standardet të cilat kryhen në laboratorët testues, përkatësisht nga palët e treta, me kërkesë të Blerësit (pavarësisht nga ajo nëse është person juridik apo Konsumator) i bartë Blerësi, përveç nëse përmes kontrollit konstatohet që defekti është pasojë e gabimit në material dhe/ose pasojë e gabimit në prodhim.

    3. TË DREJTAT E VEÇANTA TË KONSUMATORIT

    3.1. Çfarë do të thotë konformiteti (përputhshmëria)?

    Supozohet se mallrat e dorëzuara janë në përputhshmëri me kontratën:

    1) nëse korrespondojnë me përshkrimin që ju kemi dhënë;

    2) nëse kanë vetitë e nevojshme për përdorim të veçantë për të cilin Konsumatori i bleu ato dhe që ishte i njohur për ne;

    3) nëse kanë vetitë e nevojshme për përdorimin e rregullt të mallrave të të njëjtit lloj;

    4) nëse sipas cilësisë dhe funksionimit përputhen me atë që është e zakonshme për mallrat e të njëjtit lloj dhe atë që Konsumatori mund të presë me arsye, duke pasur parasysh natyrën e mallrave dhe premtimet publike për vetitë e veçanta të mallrave.

    Nëse mendoni se ndonjë nga këto kushte nuk është përmbushur, mund të paraqisni reklamacionin.

    Megjithatë, duhet të kihet parasysh se reklamacioni nuk do të jetë i suksesshëm në rast të trajtimit apo përdorimit joadekuat të produktit, apo që nuk është në përputhje me udhëzimet për përdorim të tij ose në përputhje me qëllimin e tij, si dhe në rast nëse ndonjë riparim ose përpjekje për riparim është bërë nga persona të paautorizuar. Në manovrim/trajtim joadekuat hynë gjithashtu lëshime të tilla si lidhja e pajisjes në burimet e energjisë që nuk përshkruhet në udhëzimet për përdorim në kushte dhe hapësira të paparashikuara.

    3.2. Brenda çfarë periudhe kohore mund të paraqesë Konsumatori reklamacionin?

    Wurth është përgjegjës për mospërputhshmërinë e mallrave ndaj Konsumatorit  brenda dy viteve nga data e dorëzimit. Kjo periudhë mund të jetë më e gjatë nëse ekziston një garanci e veçantë për produktin, me ç ‘rast ne do të ju dërgojmë formularin e garancisë. Për më shumë informacione rreth garancive, shihni seksionin Garancitë.

    3.3. Procedura e parashtrimit të ankesës (reklamacionit)

    Nëse konsideroni se produkti nuk është në përputhje me kontratën dhe dëshironi të  paraqisni reklamacionin, duhet të parashtroni një kërkesë për reklamacion me postë në adresën Wurth-Kosova Sh.p.k. Magj. Prishtinë-Ferizaj Km.7 Fsh. Llapnasellë pn.10500, Kosovë, përkatësisht me postë elektronike në eshop@wurth-kosova.com me subjekt: Reklamacioni, ose duke telefonuar në numrin e telefonit 038 600 308.

    Me rastin e parashtrimit të kërkesës për reklamacion, Konsumatori është i detyruar:

    1. Të dorëzojë produktin e reklamuar
    2. Të dorëzojë dëshminë e blerjes – faturën – fletëdërgesën ose ndonjë dëshmi tjetër që konfirmon blerjen e mallrave.
    3. Të dorëzojë formularin e plotësuar të reklamacionit, i cili mund të shkarkohet në këtë link FORMULARI I REKLAMACIONIT. Të dhënat që i shkruani në formularin e reklamacionit mund t’i gjeni në seksionin tjetër.

    Nëse paraqisni reklamacionin përmes postës elektronike, jeni i detyruar të na dërgoni artikullin për të cilin po parashtroni ankesë, jo më vonë se ditën tjetër të punës. Ne nuk do të jemi në gjendje të vendosim për reklamacionin tuaj para se të na dërgohet artikulli i reklamuar.

    Nëse keni ndonjë pyetje në lidhje me rrjedhën e reklamacionit tuaj ose keni nevojë për ndonjë shpjegim shtesë, mund të na kontaktoni përmes email-it në eshop@wurth-kosova.com ose me telefon në 038 600 308

    3.4. Procedura e zgjidhjes së reklamacionit

    Procedura e zgjidhjes së reklamacionit fillon duke plotësuar formularin e reklamacionit, i cili mund të shkarkohet në këtë link FORMULARI I REKLAMACIONIT. Në formularin e reklamacionit duhet të shënoni:

    • emrin dhe mbiemrin tuaj
    • adresën,  numrin e telefonit dhe e-mail-in
    • numrin e artikullit dhe sasinë
    • një përshkrim të shkurtër sa i përket parashtrimit të ankesës ndaj mospërputhshmërisë së produktit
    • datën e pranimit të mallrave (data e transferimit të riskut tek konsumatori)
    • datën e blerjes
    • numrin e faturës
    • çmimin me të cilin janë blerë mallrat e reklamuara
    • nënshkrimin.

    Duke nënshkruar formularin e reklamacionit, ju konfirmoni se informacioni juaj është i saktë, veçanërisht informacioni në lidhje me adresën tuaj tek e cila shitësi duhet të dorëzojë përgjigjen me shkrim ndaj reklamacionit të paraqitur. Duke nënshkruar formularin e reklamacionit, ju gjithashtu konfirmoni që jeni dakord që shitësi mund të ju dërgojë konfirmimin për pranimin e formularit të reklamacionit si dhe përgjigjen e tij ndaj reklamacionit të paraqitur në mënyrë elektronike në adresën për pranim të postës elektronike të shënuar në formularin e reklamacionit.

    Ne do t’ju dërgojmë në mënyrë elektronike konfirmimin për pranimin e formularit tuaj të reklamacionit në adresën elektronike të cilën e keni shënuar në formularin e reklamacionit.

    Pasi të pranojmë kërkesën tuaj për reklamacion, ne do të ju përgjigjemi në mënyrë elektronike jo më vonë se tetë ditë nga data e pranimit të reklamacionit. Ne do t’ju njoftojmë nëse e pranojmë reklamacionin, do të deklarohemi lidhur me kërkesën tuaj dhe do t’ju japim një propozim konkret dhe afat për zgjidhjen e reklamacionit.

    Si datë nga e cila llogaritet afati i fundit për t’ju përgjigjur ndaj reklamacionit tuaj në përputhje me dispozitën e kontrates se shitblerjes dhe Ligjit per marredhenjet e detyrimeve (data e paraqitjes së reklamacionit), merret data kur pranojmë dërgesën tuaj në adresën e cekur në pikën 3.3. të këtyre kushteve.

    Afati nuk do të jetë më i gjatë se 15 ditë, përkatësisht 30 ditë për mallrat teknike, nga dita e paraqitjes së reklamacionit.

    Wurth është i detyruar të veprojë në përputhje me vendimin, propozimin dhe afatin për zgjidhjen e reklamacionit, nëse kemi marrë pëlqimin tuaj paraprak. Prandaj, ju lusim që të jepni pëlqimin tuaj sa më shpejt që të jetë e mundur nga momenti i pranimit të përgjigjes sonë ndaj reklamacionit, në mënyrë që Wurth të mund të zgjidhë reklamacionin brenda afatit ligjor të lartpërmendur. Mosdhënia me kohë e pëlqimit tuaj do të konsiderohet si një nga arsyet pse Wurth nuk mund të përmbushë kërkesën tuaj brenda afatit ligjor.

    Nëse, për arsye objektive, ne nuk jemi në gjendje ta përmbushim kërkesën tuaj brenda afatit të dakorduar, ne do t’ju njoftojmë për vazhdimin e afatit për zgjidhjen e reklamacionit dhe do të specifikojmë afatin brenda të cilit do ta zgjidhim atë, me pëlqimin tuaj. Zgjatja e afatit për zgjidhjen e reklamacionit është e mundur vetëm një herë.

    Shitësi do t’i dorëzojë blerësit produktin e riparuar në të njëjtën mënyrë si ia ka dorëzuar fillimisht produktin e reklamuar.

    Nëse dorëzuesi nuk ju gjen në adresën e dorëzimit, shërbimi i dorëzimit do të ju kontaktojë dhe do të caktojë një datë të re të dorëzimit.

    Nëse pas kësaj, dorëzimi i mallrave të reklamuar është ende i pamundur me faj të Blerësit, përkatësisht personit të shënuar në informacionin e dorëzimit, mallrat do të kthehen në selinë e Shitësit. Pas skadimit të periudhës prej 10 ditëve të punës, Wurth nuk merr më asnjë përgjegjësi për produktin dhe produkti mund të dorëzohet për riciklim, përkatësisht për asgjësim.

    Për bazueshmërinë e reklamacionit vendos personi kompetent në kompaninë Wurth. Nëse personi kompetent konsideron se reklamacioni nuk është i bazuar, formohet Komisioni tre anëtarësh për zgjidhjen e reklamacionit, i cili merr vendimin përfundimtar, vendimi i cili i komunikohet Konsumatorit brenda periudhës së përmendur.

    3.5. Dorëzimi i mallrave për reklamacion/servisim

    Mallrat që i dërgoni në servis përmes postës ose shërbimit korrier duhet të jenë të paketuara në kutinë origjinale nga kartoni. Të gjitha produktet e dorëzuara tek ne në këtë mënyrë, e që nuk janë paketuar siç duhet ose që kanë pasur dëmtime të dukshme mekanike gjatë transportit, nuk do të pranohen nga kompania Wurth, por do të t’ju kthehen me shpenzimet tuaja. Wurth nuk merr përsipër asnjë përgjegjësi për ndonjë dëmtim eventual të produktit ose paketimit që ndodh gjatë transportit drejt ose nga adresa juaj.

    Nëse konstatohet dëmtimi fizik ose mekanik i mallrave për të cilin Wurth nuk është përgjegjës, në rast të kthimit të parave, ne nuk jemi të detyruar të kthejmë shumën e plotë të shitblerjes, por do të ulim çmimin me një përqindje ose shumë që korrespondon me përqindjen ose shumën e vlerësuar të vlerës së reduktuar të mallrave për shkak të dëmtimit. Vlerësimi do të bëhet nga personat e autorizuar të kompanisë Wurth (servisuesit).

    3.6. Të drejtat e konsumatorit mbi bazën e reklamacionit

    Në rast të bazueshmërisë së reklamacionit, Konsumatori ka të drejtë të kërkojë nga kompania Wurth të sigurojë servisimin. Përveç kësaj, Konsumatori ka të drejtën e:

    a. Zëvendësimit të produktit të blerë me defekt, me një produkt të ri, pa defekte;

    b. Uljes së çmimit ose kthimit të shumës së paguar sipas faturës së bashkëngjitur, në rast kur eliminimi i mospërputhshmërisë nuk është i mundur.

    Në rast se eliminimi i mospërputhshmërisë nuk është i mundur me anë të riparimit ose zëvendësimit, keni të drejtë të kërkoni ulje të çmimit ose ndërprerje të kontratës,  nëse:

    • Mospërputhshmëria nuk mund të largohet me riparim ose zëvendësim fare e as në kohë të arsyeshme;
    • Nuk mund të shfrytëzoni të drejtën për riparim ose zëvendësim, përkatësisht nëse nuk kemi kryer riparimin ose zëvendësimin në afat të arsyeshëm kohor;
    • Riparimi ose zëvendësimi nuk mund të bëhet pa shqetësime të konsiderueshme për ju për shkak të natyrës së mallrave dhe qëllimit të tyre;
    • Largimi i mospërputhshmërisë përmes riparimit ose zëvendësimit paraqet barrë disproporcionale për Wurth-in.

    Barra disproporcionale për Wurth-in në kuptim të paragrafit 2,  pika 4 të këtij seksioni, ndodh nëse, krahasuar me uljen e çmimit ose ndërprerjen e kontratës, shkakton shpenzime tejet të mëdha, duke marrë parasysh:

    • Vlerën e mallrave që do ta kishte nëse do të ishte në përputhje me kontratën;
    • Rëndësinë e përputhshmërisë në rastin konkret;
    • Nëse mospërputhshmëria mund të eliminohet  pa shqetësime të mëdha për ju.

    Keni të drejtë të kërkoni zëvendësim, ulje të çmimit ose ndërprerje të kontratës për shkak të mungesës së njëjtë ose tjetër të përputhshmërisë që ndodh pas riparimit të parë, ndërsa ri-riparimi është i mundur vetëm me pëlqimin tuaj të shprehur.

    Duke marrë parasysh natyrën e mallrave dhe qëllimin e tyre për të cilat po i blini, riparimi ose zëvendësimi i mallrave duhet të bëhet në periudhë të arsyeshme kohore pa shqetësime të konsiderueshme për ju dhe me pëlqimin tuaj.

    Nëse mospërputhshmëria ndodh brenda gjashtë muajve nga data e transferimit të riskut tek ju,  ju keni të drejtë të zgjedhni ndërmjet kërkesës për të larguar mospërputhjen me zëvendësim, uljen e çmimit ose ndërprerjen e kontratës, ndërsa largimi i mospërputhshmërisë është i mundur me riparim, me pëlqimin tuaj të shprehur.

    Nuk mund të ndërpritni  kontratën nëse mospërputhshmëria e mallrave është  e paktë/parëndësishme. Ju lusim të mos abuzoni me të drejtat tuaja mbi bazën e mospërputhshmërisë, përndryshe, do të detyroheni të  na kompensoni për dëmin që na shkaktoni me këtë rast. Wurth  do të konstatojë nëse ekziston mospërputhshmëria e mallrave të cilën e keni theksuar dhe nëse konstatojmë se, pavarësisht mungesës së mospërputhshmërisë ose ekzistimit të mospërputhshmërisë së vogël, ju keni ndërprerë kontratën,   Wurth  do të kërkojë dëmshpërblim për shkak të ndërprerjes së pabazuar të kontratës. Dëmi nënkupton si dëmin material ashtu edhe fitimin e humbur.

    Procedura nëse është marrë vendimi që pranohet reklamacioni:

    • Njoftimi i dërgohet konsumatorit, me shkrim ose me postë elektronike, me të cilin njoftim ai informohet se reklamacioni është pranuar.
    • Nëse konsumatori vendos për riparim të produktit të blerë, produkti i riparuar i dërgohet konsumatorit në të njëjtën mënyrë siç iu është dorëzuar fillimisht produkti i reklamuar.
    • Nëse Konsumatori zgjedh për zëvendësim të produktit të reklamuar me një produkt tjetër identik ose të ngjashëm, produkti i ri i dorëzohet Konsumatorit pasi Konsumatori njofton Wurth-in me shkrim për zgjedhjen e tij, pasi t’i dorëzohet njoftimi për pranimin e reklamacionit.
    • Nëse konsumatori zgjedh të ndërpres kontratën, konsumatorit i kthehen paratë që ai i ka paguar për produktin e reklamuar. Kthimi i parave Konsumatorit do të bëhet përmes pagesës në llogarinë rrjedhëse të Konsumatorit brenda 15 ditëve nga data e reklamacionit.

    Procedura nëse është marrë vendimi që të mos pranohet reklamacioni:

    • Përmes postës së porositur-rekomande, së bashku me mallrat e reklamuara, Konsumatorit i dërgohet njoftimi me shkrim se procedura e reklamacionit të paraqitur ka përfunduar, se reklamacioni nuk është pranuar, duke cekur arsyet për këtë mospranim.
    • Do të konsiderohet se Konsumatori është njoftuar në mënyrë të rregullt  për reklamacionin e paraqitur, në përputhje me nenin 56, paragraf 7 të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, në momentin e përpjekjes për të dorëzuar dërgesën rekomande, nëse dërgesa nuk mund të dorëzohet për faktin se Konsumatori nuk jeton në adresën të cilën e ka shënuar në konfirmimin për pranimin e reklamacionit (adresa e panjohur) ose për faktin se refuzon pranimin e dërgesës.

    3.7. Servisimi pas skadimit të afatit të përputhshmërisë

    Pas skadimit të afatit ligjor të konformitetit (përputhshmërisë) të mallrave (2 vite), përkatësisht afatit të garancisë (nëse ka garanci), Konsumatori është vetë përgjegjës për dërgimin e mallrave në servisim – riparim dhe bartë shpenzimet e dërgimit, pranimit të mallrave dhe riparimit. Wurth më kënaqësi do të ndihmojë konsumatorët me informacione mbi serviset pas skadimit të afatit ligjor të konformitetit.

    4. GARANCIA

    Për lloje të caktuara të mallrave, Wurth lëshon garanci. Garancia është çdo deklaratë me të cilën dhënësi i saj bën një premtim në lidhje me mallrat dhe është ligjërisht detyruese sipas kushteve të dhëna në deklaratë, si dhe në shpalljet në lidhje me ato mallra.

    Për mallrat e pajisura me garanci, vlejnë afatet e garancisë  që janë të specifikuara në vetë garancitë – formularin  e garancisë, me ç ‘rast garancitë nuk përjashtojnë as nuk ndikojnë në të drejtat e blerësit në lidhje me konformitetin e mallrave me kontratën e shitblerjes.

    Nëse Wurth i ka dhënë Blerësit garancinë për rregullsinë e mallrave brenda një periudhe të caktuar kohore, Blerësi mundet, në rast se mallrat nuk janë në rregull, të kërkojë riparim brenda periudhës së arsyeshme dhe nëse Wurth nuk e bën këtë, të kërkojë zëvendësimin e produktit të dëmtuar. Blerësi është i autorizuar, vetëm me formularin e garancisë që e pranoi me rastin e blerjes së bashku me faturën origjinale, të kërkojë të drejtat e tij në bazë të garancisë. Riparimi ose zëvendësimi duhet të bëhen brenda një periudhe kohore të arsyeshme, përndryshe, blerësi ka të drejtën e ndërprerjes së kontratës ose uljes së çmimit. Wurth do të përpiqet të bëjë riparimet ose zëvendësimet sa më shpejt të jetë e mundur.

    Garancia është e vlefshme në rastet e cekura më poshtë:

    1. Nëse produktit të reklamuar, brenda periudhës së garancisë, i bashkëngjitet fatura origjinale e blerjes dhe formulari i garancisë.
    2. Nëse defektet në produkt kanë ndodhur gjatë afatit të garancisë, si pasojë e defektit në material nga i cili është bërë produkti dhe/ose si pasojë e gabimit në procesin e prodhimit.
    3. Nëse është paraqitur reklamacioni për produktin brenda afatit të garancisë, i cili fillon të rrjedhë nga data e blerjes së produktit të reklamuar, përkatësisht data e cekur në faturë.

    Garancia nuk mbulon defektet në produkte që kanë ndodhur në rastet në vijim:

    1. Nëse produkti nuk është vënë në veprim/përdorim, nuk është përdorur ose mirëmbajtur në përputhje me udhëzimet për përdorim (vlen për produktet e shoqëruara me udhëzime për përdorim).
    2. Nëse produkti është përdorur për qëllime për të cilat ai nuk është paraparë(p.sh.: përdorimi i pincave hidraulike “papagallka” në serviset e makinave për lirimin e pjesëve në instalimet e frenave, përdorimi i kaçavidave (makinave për zhvidhosje)  dhe biteve me aksesorin PH në bulonat me aksesorin PZ dhe anasjelltas, përdorimi kokës standarde për arpion në pajisjet pneumatike, përdorimi i trokos elektrike si makinë për lustrim, përdorimi i diskut prerës për mprehje, përdorimi i çelësit moment për lirimin fillestar dhe ngjashëm).
    3. Për shkak të përdorimit jo korrekt të produktit(p.sh. përdorimi i dorezave arpion  për lirimet fillestare ose shtrëngimet përfundimtare të bulonave, përdorimi i çekanit gjatë punës me makinë për zhvidhosje (kaçavidë) pa sferë metalike (goditëse), përdorimi i veglave pneumatike në instalimet pa grup përgatitor, përdorimi i makinave për saldim në agregatin me kapacitet të vogël dhe pa mbrojtje nga mbitensioni, përdorimi i masave izoluese dhe ngjitësve në sipërfaqet e pa pastruara ose në të cilat nuk është hequr lubrifikuesi, etj.)
    4. Për shkak të përdorimi të forcës së tepërt(p.sh.: përdorimi i tubit vazhdues në çelësin për rrotat për të rritur forcën e zhvidhosjes (lirimit), përdorimi i çekanit në tehet për të rritur forcën e prerjes, përdorimi i çekanit në kokën (arpion) për të liruar (zhvidhosur) më lehtë bulonat, rritja e presonit në makinën shpuese ose ratifikuesen për të bërë shpime ose prerje më të shpejta, etj.).
    5. Për shkak të gërryerjes (konsumimit) natyral të shkaktuar nga përdorimi i rregullt afatgjatë- këtu përfshihen dëmtimet e shkaktuara si pasojë e gërryerjes (konsumimit) natyrale të materialit nga i cili është prodhuar artikulli, për shkak të përdorimit të rregullt afatgjatë (p.sh.: aksesori i konsumuar i makinës (kaçavidës) për zhvidhosje, pjesa prerëse e teheve që ka humbur mprehtësinë ose doreza e dhëmbëzuar e pincave, ose konsumimi i pjesëve shpenzuese siç janë karbonçinat nga grafiti dhe kushinetat sferike, kabllot elektrike, lopatat e dëmtuara e veglave pneumatike, izoluesit, lidhëset për ajër të dëmtuara, kokat shtrënguese – futerët, mbajtësit e disqeve, nofullat e pincave për perçina, pjesët e mekanizmit të dorezës së arpionit të dëmtuar, etj.).
    6. Në rast të riparimeve/modifikimeve të veglave për të përshtatur ato për qëllime tjera të përdorimit(p.sh.: mprehja e veglës për zhvidhosje për të bërë forcë, prerja ose lakimi i çelësit në formë piruni për përdorim më të lehtë në vendet vështirë të qasshme, etj.).
    7. Në rast të riparimeve të paautorizuara të veglave, mosrespektimit të intervaleve të kontrollit në servise dhe përdorimit të pjesëve rezerve jo origjinale.